Mustafë K uraebashkuar - Intervistë
   
 
  Intervistë





Entela Binjaku – Intervistë me veprimtarin, Isuf Bytyçi

Aty ku gjuha mësohet edhe ruhet

                                          Synim i yni është që sa më shumë t’i vetëdijësojmë prindërit dhe fëmijët
                                           shqiptarë e, të shkojnë masovikisht në mësimin Plotësues në Gjuhën
                                          Shqipe, kudo që janë, sepse kështu mësohet e ruh
et gjuha e nënës,
                                                 kultura dhe identiteti kombëtar!


Kush është Isuf Bytyçi dhe cila është veprimtaria e juaj? 


Isuf Bytyçi: Që nga viti 1981, unë e kam filluar veprimtarinë time kombëtare! Por, intenziteti dhe dinamika i janë shtuar prej vitit1988, kur i vuri masat e dhunshme Sllobodan Millosheviqi, mbi Kosovën! Por haptas, që nga viti 1990 jam kyçur në organizim legal, që në fillim i kemi organizuar organet paralele shtetërore, i kemi mbledhur të hollat për arsimtarë, ndihma për familjet e varfëra, jemi marrë me shtrimin e rrugëve, kemi formuar mbrojtjen teritoriale dhe, pothuaj se të gjitha punët shtetërore i kemi bërë, në fshat e komunë, dhe deri në muajin korrik `93 kam qenë kryetar i fshatit, atëherë kur filluan të vijnë ftesat „ Për një bisedë informative“, nga policia serbe! Sikur shumë shqiptarë nga Kosova, edhe unë ika për Gjermani, që të kthehem brenda një kohe të shkurtër! 


Isuf Bytyçi

Por, nuk u ktheva kurrë, përveçse për pushime, mbas luftës së fundit! Kam qenë anëtar i kryesisë në shoqatën QKSH “ RILINDJA”, në Munih rreth tetë vite, anëtar i kryesisë në shoqatën „SHQIPONJA“, që në kuadër të kësaj shoqate e kam përkthyer në gjuhën shqipe „Sistemi Shkollor në Bavari“, „ Me edukatë të mirë rrisim fëmijë të shëndoshë“ (kundër drogës) e disa projekte tjera, të cilat i kemi punuar si broshurë dhe në internet i kemi shpërndarë dhe, kam mbajtur seminare në lidhje me këto tema, për shqiptarë e joshqiptarë. Kam dhënë kontributin tim në shoqatën „BAVAREZE – KOSOVARE“ dhe „UNIONIN PANEURPOIAN“, në Bavari. Aktiviteti im i lirë është se merrem me gazetari si gazetar i lirë, që zbrazëtinë, të cilën e kam që nuk punoj me nxënës si arsimtar i gjuhës shqipe në shkolla të mesme, merrem me shkrime nga fusha të ndryshme dhe së shpejti do ta botoj një libër publicistik. Përveç gjithë këtyre, prej vitit 2011 jemi përpjekur dy herë ta hapim mësimin plotësues në Gjuhën Shqipe dhe na dështoi, por tani në herën e tretë kemi arritur ta themelojmë dhe se për çdo ditë jemi duke u konsoliduar. 

 

z. Bytyçi, ta zhvillojmë një intervistë me ju, ku do të paraqitet puna juaj lidhur me mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Bavari. 

Mund të na tregoni, ju lutem rreth nismës suaj të ditëve të fundit. Si erdhët deri te ky moment dhe na tregoni se cilat janë të arriturat? 

Isuf Bytyçi: Zonjë e nderuar, ju falënderoj për kohën, të cilën e keni gjetur për të biseduar, në lidhje me Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, në Bavari. 
Sa i përket organizimit të Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe, mund të them lirisht se është një punë e gjatë dhe e mundimshme! Derisa popujt tjerë e kanë kaherë këtë çë tështje zgjidhur, në Bavari, ne shqiptarët, e kishim Mësimin Plotësues në kohën e Ish-Jugosllavisë, por, nën mbikëqyrjen e shtetit Jugosllav! Ndërsa, tani prej vitit 2011 është hera e tretë, që jemi duke u përpjekur ta organizojmë Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, gjë që në të dy herat e para kemi dështuar që në hapat e parë e, në herën e tretë, më duket se me gjithë vështirësitë që i kemi, e kemi arritur qëllimin! 

Kur them se e kemi arritur qëllimin, mbështetem në disa të arritura dhe fakte. Faktet janë këto: Prej viti 2016 e kemi formuar një grup pune, që kemi punuar intenzivisht dhe mbas një viti kemi arritur ta mbledhim Kuvendin, në Prill të vitit 2017, e kemi zgjedhur kryesinë dhe kryetarin për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari. Pastaj, na kanë shkuar edhe disa muaj që ta themelojmë shoqatën, statutin dhe rregulloren për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe! Pas gjithë këtyre përpjekjeve, e kemi regjistruar shoqatën në qytet dhe e kemi marrë nga Financa e Bavarisë numrin tatimor, që punëtorët e arsimit për Mësimin Plotësues të paguhen legalisht dhe pa ndalesa tatimore, me honorar nga kjo shoqatë humanitare! E kemi zgjedhur këshillin e arsimtarëve dhe këshillat e prindërve shqiptarë në Landin e Bavarisë. Ndërsa tani, para sa ditësh e kemi zgjedhur një komision monitorues, i cili do të merret me punën e arsimtarëve dhe të prindërve, që vlen të përmendet se përveç kësaj, e kemi zgjedhur edhe një këshill, i cili do të merr kontakt me organet gjermane për pranimin e notës së gjuhës shqipe në dëftesat e nxënësve dhe kemi biseduar me organet shtetërore, që edhe kemi arritur të marrim ndihma financiare, por në mënyrë simbolike, nga qyteti i Munihut. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Diasporë, të Kosovës, me Ministrinë e Arsimit dhe atë të Punëve të jashtme të Kosovës. Por, jemi duke u përpjekur që edhe ministritë e tilla të shtetit shqiptar t’i kontaktojmë, në mënyrë që ta shtrijmë bashkëpunimin sa më gjerë. 

Gjithë këto punë, të cilat i kemi bërë, unë, në emrin tim dhe në emrin e shoqatës e falënderoj: Mustafë Krasniqin - kryetar i shoqatës dhe ideator e themelues i LAPSH-it në Bavari, i cili ka bërë shumë punë, që të vijmë deri këtu, z. Fran Tanushin, konzullin e Kosovës dr. Hamdi Reça dhe z. Tefik Jaha, që vazhdimisht janë angazhuar edhe ende janë duke punuar në shërbim të Mësimit Plotësues. I falënderoj gjithë aktivistët dhe prindërit shqiptarë, që shumë mund kanë bërë, që të jemi, këtu ku jemi. Po ashtu i falënderoj mësueset, të cilat prej ditës së parë na kanë qëndruar pranë. Po ashtu i falënderoj shoqatat dhe ndërmarrjet shqiptare, që jetojnë e veprojnë në Bavari e, sidomos Fondacionin BESA, që edhe materialisht na ka ndihmuat, z. Isak Neziri pronar i ndërmarrjes “EFA”, e falënderojmë për ndihmën materiale edhe z. Fatmir Drenica pronar i një restorani në Munih, e falënderojmë, i cili po ashtu na ka ndihmuar me ushqime falas, në rastin e mbajtjes së seminarit, i cili u mbajt në Munih. Përveç këtyre, i falenderojmë edhe përfaqësuesit e konsullatës Shqiptare – Kosovare: z. Hamdi Reçica, z. Faket Kajtazi, z. Arten Hanku edhe z. Dashnor Ibraj. I falënderojmë znj. Valbona Rroçi, z. Dr. Edmond Skenderi, por jo vetëm këta! Ministrinë e Diasporës nga Kosova dhe z. Avdyl Lipoveci – drejtor në këtë ministri, atë të MASHT-it dhe të Punëve të jashtme nga Kosova dhe Shqipëria. 

Në fillim dukej si e pamundur kjo punë, disa njerëz na thanë se i parealizueshëm është ky qëllim, saqë edhe unë e kisha një dozë frike dhe skeptik isha, që nuk do të bëjmë gjë në këtë drejtim! 

Cilat janë nevojat dhe sfidat, të cilat i keni, sipas jush? 

Isuf Bytyçi: Për ta realizuar me sukses, Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari, nevojat janë të shumta! Por, unë do të përpiqem t’i përmend ato më kryesoret: 1) prezenca dhe aktivizimi i arsimtarëve kompetentë shqiptarë, 2) Angazhimi i prindërve shqiptarë, 3) lejimi i objekteve shkollore, 4) koha e lejimit të objekteve nga organet shkollore, 5) sjellja e teksteve shkollore nga atdheu, 6) shumë me rëndësi është mosbyrokracia në shpërndarjen e teksteve dhe 7) paga e arsimtarëve. 

Ndërsa, sfidat nuk janë të pakta, por edhe të pakalueshme nuk janë! Për të hapur klasë për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, na duhet një ushtri njerëzish me një mori përpjekjesh! 

Sistemi organizativ 

Mënyra e Organizimit të Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe, bëhet sikur puna e një koreografi me një ansambël të tërë! Hapi i parë është ky: arsimtar-i/ja, duhet të dalë në teren dhe të takojë prindër shqiptarë dhe krejt në mënyrë private të komunikojë me ta, në lidhje me Mësimin Plotësues! Të kontaktojnë edhe prindër tjerë, në mënyrë që ta kenë një numër nxënësish për një klasë, prej 12 deri në 25 nxënës, në mënyrë që t’i lejohet hapja e klasës. Pra, një klasë e hapur, guxon ta ketë numrin minimal 12 nxënës e jo më pak edhe 25 nxënës duhet të jetë numri maksimal. Shkollat, s‘kanë të drejtë të japin informata për nxënës! Kur të formohet lista me emrat e mbiemrat e nxënësve, shoqata jonë për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, i bën një kërkesë shkollës, me emrin dhe vulën e shoqatës. Ne, në bashkëpunim me prindërit, arsimtarin dhe shkollën e caktojmë, një ditë në javë me dy orë mësim. Shkolla na kthen përgjegje dhe, disa herë mund të ndodhë se edhe na ndryshojnë kohën e mbajtjes së mësimit, apo edhe mund ta refuzojnë kërkesën! Pas refuzimit të kërkesës, ne i drejtohemi përsëri, ministrisë së arsimit bavarez dhe shkollës, që zakonisht në herën e dytë, marrim përgjegje pozitive. 

Problem tjetër është bindja e fëmijëve, që të shkojnë në Mësimin Plotësues, por disa herë edhe prindërit nuk janë të mendimit se fëmija i tyre mund të përfitojë gjë nga mësimi i gjuhës amtare! Tjetër pengesë është mundësia e sjelljes së fëmijëve në shkollat, ku mbahet Mësimi Plotësues, për shkak të jetës dinamike që bëhet në Bavari. Shumica e prindërve, përveçse e kanë nga një punë të rregullt, ata e kane edhe nga një honorar, që nuk e bëjnë për luks, por jeta është tejet e shtrenjtë dhe pagat, zakonisht janë të ulta. Tjetër problem, janë disa aktivistë shqiptarë të shoqatave tjera shqiptare dhe, dikush nga xhelozia e dikush nga mosdija e pengojnë me propagandë, Mësimin plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari! „Për inat të rejës, më vdektë djali“, thotë populli! Janë, pra disa intrigantë e sharlatanë, që nuk pushojnë duke bërë propagandë kundër Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe!

 


Metoda e punës në Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe 

Puna në Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe bëhet në grupe të përziera! Prej klasës së parë deri në klasën e dhjetë, zakonisht i ndajmë në tri grupe nxënësish brenda një klase. Niveli i parë nga klasa e parë deri të tretën, niveli i dytë prej klasës së katërt deri të gjashtën dhe niveli i tretë prej klasë së shtatë deri të dhjetën. 


Forma e pagesë së arsimtarëve 

Problem tjetër është pagesa e arsimtarëve, që momentalisht prindërit i paguajnë për një fëmijë 10 euro, për dy fëmijë 15 euro dhe për tre fëmijë 20 euro, që kjo është një pagesë solide! Ndërsa, rastet sociale, përjashtohen nga pagesa! Kjo formë e pagesës për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, do të bëhet derisa të merret qëndrim dhe vendim nga organet shtetërore, pa marrë parasysh, ato shqiptare apo gjermane! 

Për gjithë këto, besoj, që shteti shqiptar dhe ai kosovar, do ta ndërmarrin një vendim, në favor të fëmijëve tanë, sepse shqiptarët janë duke u asimiluar me shpejtësi! 

Si mendoni se do të mund të ndihmojë shteti amë në mësimin e gjuhës shqipe në diasporë e Bavari? 

Isuf Bytyçi: Unë mendoj se nuk është edhe aq e lehtë ndihma, që do të duhej t’i bëhet diasporës sonë, për organizimin e ruajtjes së gjuhës e kulturës shqiptare! Por, kjo është një domosdoshmëri, e cila duhet të realizohet! Pse, e them këtë? E them, sepse diaspora shqiptare është tejet e rëndësishme për atdheun, si në aspektin ekonomik, politik edhe kulturor! E, përveç këtyre, ne jemi pjesë e atdheut, që nevoja është e dyanëshme. 

Shteti shqiptar edhe ai kosovar, do të duhej ta gjejnë një model dhe ta imponojnë Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, kudo, në diasporë! Por, jo vetëm kaq, ato duhet ta gjejnë një model se si ta investojnë materialisht një përqindje, për Mësimin Plotësues. Pastaj, të bëjnë presion në shtetet ku ka shqiptarë, që ta pranojnë edhe gjuhën shqipe në shkollat e tyre, sikur gjuhën spanjolle, italiane, turke, kroate etj. Dhe, pastaj ta monitorojnë dhe ta kontrollojnë, atë. 


Cilët kanë qenë mbështetësit apo përkrahësit tuaj kryesorë? 


Isuf Bytyçi: Mbështetësit, apo përkrahësit tanë, janë të paktë, në krahasim me nevojën, që ka Mësimi Plotësues! Thash më parë se neve na duhet një armatë njerëzish, që ta realizojmë këtë synim, kaq madhor! I përmenda më lart, se kryesisht janë aktivistët, arsimtarët, prindërit, disa shoqata e biznese dhe disa përfaqësues të konsullatës së përbashkët shqiptare - kosovare. I vogël është numri i atyre, që po na ndihmojnë, në krahasim me atë që duhet të jetë, por për ditë janë duke u vetëdijesuar, shqiptarët. 


Në dijeninë tuaj, në sa shkolla e mësojnë fëmijët shqiptarë, gjuhën shqipe? 


Isuf Bytyçi: Edhepse unë mbaj detyrën e sekretarit në shoqatë, numrin e saktë nuk e di, sepse Bavaria është e gjerë dhe në çdo muaj hapen klasë të reja, por sipas mendimit tim, më herët ishin diku rreth 6 klasë e, tani i kemi mbi 20 klasë në Bavari, po ashtu dhe mbi 8 klasa tjera janë në pritje që të hapen! Presim nga organet përkatëse, dhe drejtoritë e shkollave, që të na lejojnë mbajtjen e mësimit nëpër shkollat e tyre. Numri mund të shkojë deri në 400 nxënës, që e mësojnë gjuhën shqipe në Bavari. 

Cili është synimi dhe mesazhi i juaj për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, në Bavari? 

Isuf Bytyçi: Synim i yni është që sa më shumë t’i vetëdijësojmë prindërit dhe fëmijët shqiptarë e, të shkojnë masovikisht në mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, kudo që janë, sepse kështu mësohet e ruhet gjuha e nënës, kultura dhe identiteti kombëtar! Të jenë të aftë fëmijët tanë, lirshëm të komunikojnë me njerëzit e tyre, kur të shkojnë për pushime në atdhe, ta dijnë e ta duan gjuhën e kulturën e tyre. Të komunikojmë me institucionet gjermane, që ta pranojnë edhe gjuhën shqipe, sikur qe pranohen notat, në dëftesat e shkollave bavareze: në gjuhën spaniolle, italiane, turke, kroate e tj. 

Ndërsa mesazhi ynë është ky: që le t’i dërgojnë shqiptarët, fëmijët e tyre në Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, në Bavari e kudo që janë në diasporë, sepse interesi është i yni – i shqiptarëve! Ku është interesi, vjen pyetja? Interesi është, se pse fëmijët tanë kur të flasin rrjedhshëm, ndihen më mirë në familjet e tyre, në atdhe! Se pse kur fëmijtë tanë e mësojnë gjuhën e nënës, historinë e kulturën, më tepër e duan flamurin dhe atdheun e tyre! Se pse, kur e mësojnë fëmijtë gjuhën e tyre, edhe gjuhën e shtetit, në të cilin jetojnë e mësojnë më mirë dhe në atë vend nuk asimilohen, por integrohen ! Sepse, fëmijtë tanë kur e mësojnë gjuhën e tyre, iu shkon mendja të investojnë dhe ta ndihmojnë atdheun e tyre dhe çka është më e rëndësishme se fëmija, i cili e mëson gjuhën e tij, e mëson edhe identitetin e tij dhe nuk mashtrohet aq lehtë për t’u martuar me këdo, por kërkon fatin brenda kombit të tij/saj. Ky, pra është qëllimi dhe arsyet, se pse duhet ta mësojnë gjuhën, historinë, gjeografinë dhe kulturën e tyre, fëmijtë tanë. 



Kujt do t‘ia drejtonit këtë mesazh? 

Isuf Bytyçi: Me këtë mesazh i drejtohem gjithë shqiptarëve, që t’i çojnë fëmijtë e tyre në Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe! Por, edhe atij numri të vogël shqipfolësish, që të mos e pengojnë Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari, sepse jo vetëm që është punë e pandershme, por edhe antikombëtare është propaganda kundër Mësimit të Gjuhës Shqipe në Bavari! Dhe se, nëse vazhdojnë për ta penguar këtë punë, këta sharlatanë, në herën tjetër do t’ua përmendim emrat e mbiemrat në mjetet e informimit, kudo që janë! 

Ndërsa juve, zonjë e nderuar, ju falënderoj për interesin dhe kohën që keni gjetur, për të komunikuar rreth kësaj teme kaq madhore, Mësimi Plotësues në Gjuhën Shqipe në Bavari. 

Bashkëbisedoi: Entela Binjaku 

 



 ATY KU ËSHTË MËSUESI VAXHID JANË EDHE
NXËNËSIT E SHKOLLËS SHQIPE



       

           Shkruan: Isuf Bytyçi

Mynih, 22 shtator 2017: Mësuesi Vaxhid Sejdiu me punën, angazhimin dhe përkushtimin e tij në kuadër të shkollës shqipe është bërë model, se si duhet të punojnë mësuesit në shërbim të fëmijëve shqiptarë në mërgatën shqiptare. 

Siç dihet edhe zyrtarisht viti shkollor 2017/2018 ka filluar edhe për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe. Diku më herët apo më vonë, varësisht

 nga fillimi i vitit shkollor, në kantonet zvicerane. Ajo që na intereson dhe na 

bëhet therrë në sy, është vijimi i mësimit në gjuhën shqipe apo në shkollat shqipe, siç jemi mësuar të themi. Kësaj radhe do ta bëjmë një portretizim të mësuesit Vaxhid Sejdiu, 

i cili më se dy dekada punon me një përkus

htim të veçantë, me qëllim që në kuadër të shkollës shqipe të ofrojë sa më shumë nxënës. Puna dhe angazhimi i tij në orët mësimore në gjuhën shqipe është bërë model. Fjalët, të cilat i thonë, nxënësit apo prindërit, dëshmojnë qartë angazhimin e tij të përditshëm në shërbim të shkollës shqipe, sepse siç thotë edhe ai vetë “gjuha shqipe është letërnjoftim i shqiptarëve dhe pa të shqiptarët nuk kanë kuptim”.
Sa herë që hapim temën për shkollën shqipe marrin një mori informatash pozitive dhe negative, me vend dhe pa vend. Por mbi të gjitha, aty ku punohet, nuk ka vend për fjalë. Por dëshmitë, numri i nxënësve në klasa, qëndrimi i mësuesit, fjalët e prindërve formojnë një tufë lule për mësuesin Vaxhid Sejdiu, i cili për asnjë çast nuk e ndal hovin në hapjen e pikave shkollore apo në rritjen e numrit të nxënësve. Për ta vërtetuar një gjë të tillë vizituam disa pika shkollore ku mësuesi Vaxhid punon dhe angazhohet me tërë qenien e tij në shërbim të gjeneratës së re, që ata ta ruajnë sa më mirë dhe ta mësojnë gjuhën e tyre amtare. Siç thotë dhe vetë: “emrat e bukur të fëmijëve shqiptarë nuk kanë kuptim pa gjuhën e nënës! Pa gjuhën e nënës edhe ardhmëria e tyre errësohet”. Vizituam pikat shkollore në Mels, në Flums, në Neunhof dhe në Spreitenbach dhe, u bindëm se ato fjalë që thuhen për angazhimin e tij nga Gjeneva e deri në Buchs të San Gallenit janë të vërteta. Klasat në fjalë nuk ishin ato klasa, që jemi mësuar t`i shohim në të ashtuquajturën diasporë, me nga 3-4 nxënës por përplot me nxënës. Zemra të bëhet mal! Sinqerisht t`ju them për një çast u ndjeva si në Kosovën tonë të dashur, ku klasa e mbushur me nxënës dhe secili prej tyre me interesim të veçantë përcjell fjalët e mësuesit. Ato fjalë të zgjedhura dhe të shqiptuara mirë e drejt. Ajo që bie në sy, janë grupet e nxënësve të ndara sipas niveleve, sepse edhe numri i madh i nxënësve e mundësonte një gjë të tillë. Gjatë tërë javës u ndjeva njeriu më i lumtur në dhe të huaj, sepse këtë lumturi ma sollën, të gjithë ata nxënës te cilët i ndjekin mësimet në gjuhën shqipe dhe mësuesi i tyre me punën dhe angazhimin gjatë orëve mësimore.
 


Vaxhid Sejdiu, kryetar i Këshillit të Arsimtarëve në kantonin e St. Gallenit, njëherit mësues edhe në disa pika tjera shkollore.

Përveç kësaj, mësuam edhe nga përfaqësuesit e komunave ku zhvillohej mësimi në gjuhën shqipe, se mësuesi Vaxhid është mirë i integruar në shoqërinë zvicerane. Kontaktet e tij me institucionet shkollore kantonale janë të rregullta dhe tepër miqësore. Me të drejtë thotë se përkrahja dhe mbështetja e drejtorive të shkollave është e veçantë. Po sikur mësuesit dhe prindërit shqiptarë, të ishin të interesuar për mësimin e shkollës shqipe, siç janë të interesuara institucionet zvicerane, jam më se i bindur se numri i nxënësve shqiptarë do të ishte edhe shumë herë më i madh, shtoi duke thënë mësuesi. Në pyetjen tonë, se si arrinë ta mbajë në këtë nivel shkollën shqipe pa asnjë ndihmë institucionale, ai thotë: “ e thashë më herët, nevojitet punë dhe vetëm punë, dhe jo fjalë. Dhe nëse punohet me përkushtim të vazhdueshëm gjenden bashkëpunëtorë, me të cilët suksesi nuk mungon. Në këtë drejtim jam i obliguar t’i falënderoj të gjithë ata prindër – veprimtarë të arsimit shqip, të cilët ndihmojnë në mënyrë vullnetare, në veçanti Adnan Fazliun, Riza Demajn, Mehmetali Sherifin, Shpend Limonin, Luljeta Adilin, Gjelbrim Idrizin, Shkumbin Gashin, Ibrahim Sulejmanin, Selami Osmanin, Avni Hasanin etj. pastaj drejtoritë e shkollave zvicerane me gjithë personelin, aty, ku zhvillohet mësimi plotësues në gjuhën shqipe, të cilat me dekada janë partnerë kryesorë dhe pa to ky sukses as që do të mund të merrej me mend.

 

Sa jeni të kënaqur me përfshierjen e fëmijëve shqiptarë në mësimin plotësues? 

- Buzëqesh dhe përgjigjet shkurt, nuk e di, tek unë ka mjaft nxënës, të cilët i vijojnë mësimet në gjuhën shqipe. Një gjë e kam të qartë, se nevojitet shumë punë për të bërë. Mësuesi duhet të punojë jashtëzakonisht dhe vazhdimisht.

Ç`mendim keni për prindërit shqiptarë, mësues?

- Prindërit shqiptarë janë të mrekullueshëm, por me ta duhet të punohet, duhet të bashkëbisedohet, sepse ata kanë nevojë për informim të drejtë dhe të sinqertë. Ata kanë nevojë që t`iu thuhen gjërat ashtu siç janë, pa hiperbolizime. Por në momentin që ta beson fëmijën duhet ky besim të dëshmohet, sepse në rastin që prindi dëshpërohet, atëherë ai shndërrohet në një zëdhënës negativ për shkollën shqipe.

Cilat janë përpjekjet tuaja që kanë dhënë rezultat në rritjen e numrit të nxënësve?
 

- Takimet me prindërit shqiptarë, kontaktet me drejtoritë e shkollave zvicerane, bashkëbisedimi me veprimtarët e arsimit shqip etj. , por mbi të gjitha rezultatet janë në orët mësimore. Në momentin që vjen nxënësi në shkollën shqipe, bindet se te ne, nuk ka improvizime, por mësim dhe vetëm mësim, për ta mësuar sa më mirë gjuhën shqipe.

Porosia juaj, arsimtar, për nxënësit e studentët shqiptarë, që jetojnë dhe studiojnë në diasporë!

- E kam thënë dhe e them vazhdimisht: fëmijët shqiptarë nuk kanë kuptim pa gjuhën shqipe. Ata emra të bukur: Gëzim, Besim, Krenare, Shqiprina, Arbëresha, Arta, Larisa, Dardan, Kastriot, Donika, Nora, Alban, Janina, Arvanit, Shkodran, Berat etj., nuk kanë kuptim, pa e ditur gjuhën e tyre amtare. Gjuha shqipe ua shton bukurinë dhe u jep një pamje të natyrshme. Unë gjithmonë nxënësit e mi i këshilloj që t`i mësojnë gjuhët e huaja e veçanërisht gjermanishten e anglishten, por ua them drejtpërdrejt në sy nuk ka turp më të madh për fëmijët shqiptarë që nuk mund të kuptohen me familjet e tyre, në gjuhën shqipe. 

A mjafton që gjuha të mësohet vetëm në shtëpi apo në banesë?

- Natyrisht se jo, gjuha mësohet në shkollë. Në shtëpi ndihmohet ky proces por nuk mund të mësohet. Shih zviceranët, nëse dëshirojnë ta mësojnë një gjuhë i ndjekin mësimet në atë gjuhë në shkollë. 

A mund të veçoni diçka, që si pedagog, ju ka prekur emocionet?

- Raste të tilla ka mjaft, si p.sh. fëmijët të cilët vijnë me vonesë në shkollën shqipe, dhe rastet e tilla e dëshmojnë qartë dallimin në mes nxënësit, i cili i ka vijuar mësimet në gjuhën amtare rregullisht dhe ai që vjen me vonesë. Fjalëformimi i tij është larg komunikimit normal. Shqiptimi i fjalëve apo pyetjet se pse këto dy shkronja (dh, th, gj, zh...) janë bashkë dhe nuk janë ndaras, apo kur mundohet t`i lexojë ndaras, të japin një pasqyrë pakujdesie, sepse ai pa fajin e tij ka mbetur prapa mësimit, në gjuhën e nënës.

Por, edhe diçka tjetër? 

- Ajo që më brengos shumë edhe më shqetëson për të ardhmen e gjeneratës së dytë, të fëmijëve mërgimtarë, janë fëmijët, të cilët pa fajin e tyre nuk i ndjekin asnjëherë mësimet në shkollën shqipe, dhe ata mbesin analfabetë në gjuhën e nënës. A ka defekt më të madh se fëmijët, për të cilët prindërit mundohet t`iu sigurojnë banesa apo shtëpi në mërgim apo në vendlindje, mundohet t`ua bëjnë dasmat më të bukura, t`iu blejnë gjërat më të shtrenjta, telefona mobil, biçikleta, makina dhe në fund i lënë pa gjuhën e nënës! Shembull që të prek deri në shpirt dhe të lë pa tekst. 

- Pastaj ka raste kur fëmijët që nuk mësojnë shqip, kur shkojnë në vendlindje, gjatë pushimeve nuk mund të merren vesh me anëtarët e familjes dhe as me bashkëmoshatarët e tyre! Shihni ata që nuk e njohin gjuhën, kur fillojnë të flasin, së pari i përziejnë fjalët; nja 2-3 fjalë shqipe dhe nja 2-3 fjalë gjermane, frënge apo italiane, varësisht nga vendi se ku jetojnë, pastaj skuqen, ngushtohen si të ishin të pa gojë. Është shumë e rëndë dhe tepër emocionale.

A ke pasur gjatë punës edhe ndonjë rast neveritës?

- Puna e mësuesit është një det me vete, sepse ne edhe administratën, edhe planprogramin, edhe organizimin e bartim me vete. Dhe në këtë rrugëtim na bie të kontaktojmë me prindër me mendime të ndryshme. Më neveritës është kur në takimet me prindër, që janë prezent edhe përfaqësuesit e shkollave zvicerane, kërkesës së psikologes së shkollës, mësuesit apo drejtorisë që fëmijët e tyre t`i dërgojmë në mësim në gjuhën amtare, ata përgjigjen shkurt - jo se fëmijët e mi flasin gjermanisht dhe nuk kanë nevojë të flasin shqip, madje dhe ne në mes veti flasim gjermanisht! Reagimi i këtillë ndaj gjuhës amtare është neveritës dhe të shtyn të mendosh se si mundet aq leht njeriu ta harrojë gjuhën e vet!

Përveç orëve të rregullta mësimore, kemi parë ndër vite se në mënyrë të vazhdueshme organizoni manifestime të ndryshme shkollore?

- Por, përveç mësimit, nxënësit janë të angazhuar edhe në aktivitete të lira, funksionon me sukses grupi i recitatorëve, grupi i valleve dhe në manifestimet shkollore kushtuar festave kombëtare si 28 Nëntorit – ditës së shpalljes së pavarësisë apo 7 Marsit ditës së shkollë shqipe. Ata prezantohen me pikat më të mira muzikore, me valle autoktone shqipe, me këngë të kënduara nga vet nxënësit. Pastaj kemi në plan shëtitjen me nxënësit në fund të vitit shkollor, garat e diturisë etj.

Dhe në fund, si duket ky vit shkollor?

- Si çdo vit, fillimviti, me një ngarkesë në sistemimin e nxënësve të rijë, të cilët paraqiten për t`u regjistruar, me një ngarkesë të madhe në ndarjen e tyre në grupe etj. 

A ka sivjet nxënës të rijë?

- Po, ka mjaft nxënës të rijë, kam hapur një pikë shkollore në Uznach të kantonit të St. Gallenit, si dhe kam qenë i detyruar që disa pika shkollore t`ua dorëzoj kolegeve që punojnë në kuadër të shkollës shqipe, si pikat shkollore në Buchs, Sevelen dhe Niederurnen.

Ju faleminderit z. Sejdiu per për kohen që e keni gjetur që të bashkëbisedojmë! Ishte kënaqësia.

- Faleminderit edhe juve pë komunikim dhe bashkëpunim.

 

Jetën në shërbim të kombit

 Bashkëbisedim me Profesor Mustafë Krasniqin

Shkruan: Isuf Bytyçi
Mustafë Krasniqi, është njëri nder aktivistët kryesorë të Çështjes Kombëtare në Kosovë dhe, tani për Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, në Bavari.


Isuf Bytyçi: kush është Mustafë Krasniqi dhe cila është veprimtaria juaj e përgjithshme, sidomos në raport me Çështjen Kombëtare Shqiptare? Na tregoni, shkurt, ju lutem!

Mustafë Krasniqi: Së pari më lejoni t’ju përshëndes juve dhe lexuesit tuaj! Ta them të drejtën, deri më tani s’kam dhënë intervistë asnjëherë, për shkak se doja që koha të fliste vetë. Unë, jam Mustafë Krasniqi nga fshati Shipitullë, Komuna e Kastriotit, ish Obiliq. Shkollën fillore e kam mbaruar në fshat, të mesmen në Prishtinë, drejtimin e gazetarisë, po ashtu edhe studimet i kam mbaruar pranë Fakultetit Filologjik në Prishtinë, dega Gjuhë dhe letërsi shqipe, ku dhe kam diplomuar.

Jetën në shërbim të kombit

Rrjedh nga një familje atdhetare, ku stërgjyshi im, Tahir Krasniqi, që me këtë emër është pagëzuar edhe babai im, që stërgjyshi, pra, është ekzekutuar në vitin 1920 nga makineria serbe-çetnike, ndërsa gjyshi i babës nga Dajtë është varur te tre plepat e Vushtrrisë nga perandoria Osmane, i cili quhej Shaban Kapuçi, shok i ngushtë i Hasan Prishtinës. Ishte në mbrojtjen e Alfabetit të Manastirit, “…ku Shaban Kapuçi me çetën e vet ishte i gatshëm për t’u flijuar për çështjen kombëtare, i cili iu përgjigj edhe me grykë të pushkës, ftesës së Hasan Prishtinës, për mbrojtjen e Alfabetit Latin dhe, ishte kundër përpjekjeve të Xhonturqve që kishin për qëllim ndalimin e këtij alfabeti”. Këto të dhëna mbështeten nga historiani Muhamet Pirraku, në shkrimin e tij më e rastin e 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit “Roli i Kosovës në zgjedhjen përfundimtare të alfabetit…” nga prof.dr. Muhamet Pirraku.

Më Pastaj gjyshi im, Behram Krasniqi, ka qenë i lidhur me Ajet Haxhiun-Ajet Mjekun; Ramiz Qyqallen etj., të NDSH-së të udhëhequr nga Gjon Sereçi, Ajet Gërguri, si dhe për një kohë e kanë mbajtur në kullën e tyre atdhetarin e shquar Rizah Strellcin.Tradita atdhetar në familjen tonë sikur u mishërua. Nga brezi në brez përcillej tutje, ajo që më ka frymëzuar më tepër, ka qenë nëna ime ndjesë pastë, e cila na fliste me dashuri të madhe për Shqipërinë. Po ashtu babai im ndjesë pastë, që me emrin Shqipëri ka ndërruar jetë. Kur të gjitha këto të shoqërohen në formimin tim, andaj kjo edhe ka ndikuar që t’i rri besnik idealit të paraardhësve të mi për Shqipërinë Etnike – lirinë e atdheut, që më atë që kam mundur dhe ditur kam qenë në ballë të detyrës së shenjtë për atdheun.

Isuf Bytyçi: Mund të na thoni për veprimtarin tuaj konkrete?

Mustafë Krasniqi: Do të mundohem të them shkurtimisht diçka për lexuesin tuaj, Si shumë djem idealistë që iu kishin dhënë me shpirt atdheut, ndër ta isha dhe unë, si i ri hyra në radhët e grupeve ilegale LPRK-LPK, madje u radhita në aksionin e pajtimit të gjaqeve, me grupin e studentëve, isha kryetar i KMLDNJ-së për Kastriot, njëherë dhe kryetar i SHKA “Zëri i Kosovës” në fshatin Shipitullë dhe më vonë anëtar i SHKA “Rruga e Lirisë” për Kastriot. Po ashtu isha rreshtuar në rrugën e veprimtarisë kombëtare ku kontributi im nuk u ndal deri më sot. Por, ajo që më bën të ndihem mirë, ishte vendosmëria e atdhetarëve, shokëve, ku në mesin e tyre isha dhe unë në kontributin e dhënë për lindjen dhe suksesin e UÇK-së dhe për vazhdimin e idealit të heronjve për atdheun e lirë. Si shumë veprimtarë tjerë isha dhe mbeta i angazhuar në çështjen e bashkimit kombëtar, për Shqipërinë Etnike.

Fillimisht dua të ceku se që nga klasa e tetë e tutje kam qenë jo i qetë, kam grisur disa herë fotot e satrapit, Tito. Flamurin e ish-Jugosllavisë e kam grisur, kam shkruar dhe shpesh parulla “Kosova Republikë”, aty ku kisha mundësi; Ta them të drejtën këtë fuqi kishim edhe nga RTSH, që e ndiqnim me miliona vështirësi. Koha na kishte vu në rrugë të vështira, o të bënim veprimtari atdhetare, o t’i nënshtroheshim pushtuesit. Fati më kishte ndjekur që nga shkolla e mesme të jem në mesin e shokëve dhe shoqeve, si: Hysen Matoshi, Fehmi Pireva, Rexhep Gashi, Zenel Alshiqi, Sanie Ahmeti, Kadri Sherifi,unë dhe tjerë, që shpesh dhe kemi rënë ndesh me njerëzit që mbronin me ngulmë sistemin e bashkim-vëllazërimit, satrapin Tito. Gjithnjë jemi inspiruar nga fuqia atdhetare e heronjve, ku simbol kishim figurën e ndritshme të kombit bacën Adem, pse jo edhe të prof. Xhemail Pllanës, profesor i gjuhës së stilistikës i cili me vështrimin dhe qëndrimin e tij atdhetar na motivonte më tepër ta duam atdheun e lirë.

Isuf Bytyçi: Kur flisni për veprimtarinë tuaj, shoh sikur ju keni qenë njeri me ndikim në organizatë mund të na thoni diçka më tepër?

Mustafë Krasniqi. Dua të ndalem te pjesa e dytë e pyetjes, me që është në interes të lexuesit tuaj. Kur folët për ndikim, këtu mund ta them një fakt zinxhiror, që e përcjell në treshe organizatën, kjo që ishte për hir të konspiracionit, “vepro e mos u dikto”. Fillimisht në radhët e organizuara jam futur përmes Bardhyl Mahmutit, ku më vonë kisha fatin t’i njihja shumë atdhetarë, sot dëshmorë të kombit, Si: Afrim Zhitinë, Fadil Vatën, Bajadin Allaqin, kurse të veproja sëbashku me Xhavit Hazirin e shumë dëshmorë tjerë që sot prehen në altarin e lirisë. Kur e them në bashkëpunim me Xhavitin, tregon se lidhjet dhe veprimet i kam pasur drejtpërdrejt me të. Siç u thash më parë isha i lidhur me Bardhyl Mahmutin, po me vrasjen e Shokëve, të Afrim Zhitisë dhe të Fahari Fazliut, që Fahriun nuk e kam njohur dhe me arratisjen e shumë shokëve dhe të Bardhylit, ne kemi mbetur të shpërndarë, nga që lidhjet na u shkëputnë, për këtë me insistimin tim dhe të Këshillit Popullor, që e udhëheqja unë. Morëm një nismë për gjetjen e lidhjeve dhe bashkimin e radhëve, po e ceku edhe atë se isha njëri nga ata djem që m’u besua nga Bardhyl Mahmuti, që ta drejtoja demonstratën e vjeshtës së vitit 1989, sipas udhëzimeve të shokëve që ishin në mesin e demonstruesve, kuptohej përmes Bardhylit. Vrasja, burgosja dhe arratisja e shokëve ishte një goditje e madhe për organizatën, ne si Këshill Popullor, bëmë përpjekje për një demonstratë tjetër në shenj revolte për vrasjen e shokëve ku dhe kisha përgatitur një trakt, po mjerisht për ta shumëzuar nuk kishim mundësi, pasi që teknika e shumëzimit nuk e dinim se në cilin rreth kishte mbetur. Në bashkëpunim me Ramiz Lladrovcin kemi bërë përpjekje për të gjetur teknikë, po dhe lidhjet, kështu që në një ditë Ramizi ma gjenë një numër të telefotit të Bardhyl Mahumutit, i cili kishte arritur të strehohet në Zvicër. Kontakti dhe biseda, përmes telefonit, me Bardhylin, i cili më njoftoi se brenda tri katër ditësh do ta kem në lidhje një shok, kështuqë edhe u bë takimi me Ramadan Avdiun dhe Flamur Shala. Flamur Shalën e kisha dhe shokë, studionim bashkë kurse Ramadanin nuk e njihja në atë kohë.
Që atëherë kemi filluar riorganizimin dhe zgjerimin e radhëve të formimit të Këshillave Popullor dhe të Rretheve, ku tashmë unë isha kryetar i Këshillit të Rrethit të LPRK-së për Kastriot, ish Obiliq dhe Fushë Kosovë, ku ky Këshill numëronte disa Këshilla Popullor. Nëse më lejohej, dua t’i përmend shokët e Këshillit të rrethit të cilët kanë dhënë shumë në proceset e rëndësishme të ilegales dhe të luftës së fundit të UÇK-së, si: Behxhet Kelmendi, Florim (Xhemail) Kelmendi, Ujup Thaçi, Fadil Mirena, Emin Mirena, Isak Qolli, Isaku dhe ishte komandant i njësitit të Bardhit të madh të UÇK-së 114 etj.

Isuf bytyçi: veprimtaria e juaj Konkrete?

Mustafë Krasniqi, Gjatë këtyre viteve kishim edhe aksione konkrete krahas veprimeve politike e propaganduese. Vlenë të ceket se në rrethin ku veproja unë, faktikisht dhe isha kryetar i Këshillit të Rrethit, ndodhën shumë aksione konkrete, sidomos në pengimin e bartjes së rrymës elektrike për në Serbi dhe Mal të Zi, po ashtu bënim përgatitje dhe ushtrime ushtarake. Këto ushtrime i bënim në Prishtinë, ku si përgjegjës të këtyre ushtrimeve teorike kishim Shemësi Veselin, ndërsa ato praktike i bënim në malin Qyqavicë, ku më vonë kisha një grup të lagjes sime në ushtrime teorike. Materialet ushtarake, një pjesë të tyre i kishim nga Këshilli Popullor i Bardhit të Madh, respektivisht nga Isak Qolli. Bënim grumbullimin e armatimit, ndërtonim strehimore dhe zgjeronim këshillat tona, me që ishim të vendosur se lufta ishte në prag dhe nuk kishte rrugë tjetër.
Vlen të theksohet se në mbledhjen e Ujmirit, zë fill të themelohej një ushtri, ndërsa në Kollare të Kërçovës, ku dhe isha i pranishëm edhe unë u mor vendimi që të veprohej me një përkushtim të madh për ndërtimin e një ushtrie që do t’i dalë zot atdheut. Për këtë ishte përcaktuar ideologu i shquar Xhavit Haziri, i cili dhe ishte figura qendrore e lindjes së UÇK-së. Në këtë mbledhje doli dhe GOR, ku me të kthyer nga Kollara kishte aksione të shumta pothuaj në tërë Kosovën. Po ashtu këto aksione u bënë edhe në rrethin tonë ku dhe unë isha i pranishëm në një pjesë të këtyre aksioneve. Për lexuesin tuaj për herë të parë po jap një fakt të rëndësishëm, ku në Korrik të vitit 1993, në Tauk-Bashqe, Këshilli i Rrethit LPRK-LPK për Kastriot, Fushë-Kosovë sipas Xhavit Hazirit, kjo kryesi u nda në dy sektorë: Isak Qolli, Ujup Thaçi dhe Emin Mirena përcaktohen në atë ushtarake, kurse mua më përcakton në detyrën për informim, propagandim dhe atë politik. Për keqardhje në gusht fillojnë arrestimet dhe përndjekjet e shokëve, ku u burgosën shumë shokë nderta edhe Xhavit Haziri, me të cilin isha i lidhur drejtpërdrejt. Përpos burgosjeve kishte edhe përndjekje, ku ndër ta isha dhe unë i përndjekur, që për muaj të tëra kam jetuar në ilegalitet. Me ikjen e ditëve e shihja se jeta në ilegalitet ishte e pamundur të qëndroja në Kosovë, pasi që dhe ishin shpeshtuar maltretimet mbi familjen time nga organet policore serbe, ku vlenë të theksohet se në mungesën time marrin pengë vëllain e vogël, Muhamet Krasniqin. Kështu vendosa të marr udhë për në Shkup, më vonë kam qëndruar në Tetovë për sa kohë, madje kam ikur për në Shqiperi, në Tiranë, më vonë dola në Evropë, ku sot jetoj dhe veproj, në Gjermani.

Isuf Bytyçi:, z. Krasniqi, veprimtarinë tuaj a e keni vazhduar tutje?

Mustafë Krasniqi: Në asnjë qast nuk jam ndalur, isha i angazhuar në propagandim, pas vendosjes sime në shtëpinë e të strehuarve politikë, ku ishin të pranishëm në këtë strehimore mbi 400 veta,që kam organizuar një protestë brenda aty ku qëndronim, në lidhje me situatën në Kosovë. Më vonë kam bërë një peticion, ku ua kam dërguar të gjitha instancave më të larta shtetërore gjermane, po ashtu dhe medieve gjermane. Në një ditë tjetër në qendër të qytetit kam organizuar një protestë tjetër në Lanzberg, duke i falënderuar përgjegjësit e strehimores, policinë dhe përfaqësuesit e kishës, që na përkrahën dhe u solidarizuan me kërkesat tona. Po ashtu edhe në Rosenheim, në një komunë tjetër të Gjermanisë mbajtëm protestë në shenjë të revoltës për shkak të ekzekutimit të familjes së Jasharajve. Ndërsa përmes Afrim Eminit dhe Rexhë Iberdemajt përcaktohem ta përfaqësoj politikisht UÇK-në për Oberbajern, që në Rosenheim të Gjermanisë me një grup veprimtarësh dhe ish të burgosurin e ndërgjegjes, Ilmi Muzaqin kemi vepruar në të gjitha drejtimet për ta ndihmuar UÇK-në, ndonëse kishim sfida të mëdha, nga që dhe shpesh jemi ballafaquar me njerëzit të cilët kishin rënë pre e dezinformimit, se gjoja nuk ka UÇK.

Isuf Bytyçi: Më tregoni ju lutem, z. Krasniqi, cila është veprimtaria juaj profesionale në jetën tuaj, gjatë kohës, që sa kohë jeni në Gjermani?

Mustafë Krasniqi: Ta them të drejtën, me të gjitha ato veprimtari të pandalshme, gjeja kohë të merrem me shkrime, analiza dhe krijimtari letrare, ku gjatë kësaj kohës, që sa jam në gjermani, kam të botuara këto vepra:
„Gjarpërinjtë e zinj edhe atje…“; „Lumëgjaku“; „Faqe të panjohura të historisë së NDSH-së (Ramiz Qyqalla dhe bashkëluftëtarët e tij)“; „Lojë Thikash“; „Gjarpërinjtë e zinj edhe atje…“ (ribotim); „Vështrim kritik për poetikën e krijuesve të diasporës“; „Mbrëmja e fundit“; „Eshtrat Pezull“; si dhe në gjashtë libra tjerë bashkautorë, ku në dorëshkrim kam edhe pesë libra tjerë, që presin donatorë për të dalur në duar të lexuesit si: Romanin „Cikloni“; libri historik „Për Shqiperinë Etnike“; ndërsa librin me analiza politike dhe intervista „Kah po Shkon Shqiperia dhe shqiptarët…?“; si dhe monografinë për Xhavit Hazirin dhe një monografi tjetër për heroin e viteve 1908/10 Shaban Kapuçi.

Isuf Bytyçi: Z. Mustafë Krasniqi, a keni bërë përpjekje për ta zhvilluar Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe, aty ku jetoni dhe më gjerë dhe, a keni synim për ta zgjeruar veprimtarinë tuaj në Bavari ?

Mustafë Krasniqi: Po, kjo është më se e vërtetë, përpjekja ime pas lufte ka qenë dhe është vetëdijesimi i mërgatës, mësimi i Gjuhës Shqipe, historisë, kulturës dhe traditave e zakoneve shqiptare. Për mësimin plotësues në gjuhën shqipe, e kam provuar para 7 vitesh, por në atë kohë kur fillova me një vullnet të madh më doli pengesë shëndeti, ku për pesë vite isha në përballje me probleme të rënda shëndetësore.
Deshti fati dhe, jeta fitoi nga vdekja, rifillova aty ku e kisha vullnetin dhe e bëra realitet mësimin plotësues për vitin shkollor 2015/16, ku hapa diku katër klasë me mësim plotësues në gjuhën shqipe. Mësues isha unë, gjë që për këtë i
Falënderoj bashkatdhetarët në përgjithësi dhe miqtë e mi të shoqatës BKAS “Shqiponja” – aktivistët: Bekim Halilin, Nejat Neimin, kryetarin dhe arkatarin e saj. Po ashtu për këto dy vite kam arritur me nxënësit e mi t’i mbaj tri manifestime dhe shumë të suksesshme, po ashtu edhe të jem me nxënës pjesëmarrës në Olimpiadën e organizuar nga Konsullata e Kosovës në Austri, ku ishin të pranishme shkollat; nga Shqipëria, Kosova, Zvicra, Austria dhe nxënësit e mi nga Gjermania.
Unë, jo vetëm që jam i dhënë për ta zgjeruar mësimin plotësues te çdo fëmijë shqiptar, po si kusht i kam vu vetës, se ky projekt, Mësimi Plotësues në Gjuhën Shqipe do të jetë prioriteti im, që shpresoj se edhe përtej Bavarisë ta përhapim këtë projekt.

Isuf Bytyçi: Sa është e fuqishme përkrahja, nga bashkatdhetarët, nga institucionet shtetërore të Kosovës e të shtetit Shqiptar, por edhe nga ato gjermane në raport me këtë përpjekje kaq madhore?

Mustafë Krasniqi: Më duhet ta them të vërtetën, fillimisht projektin që e kisha në mendje e lënsova në letër dhe iu drejtova bashkëkombësve dhe Konsullatës së Kosovës, që vlenë të përmendet se përkrahje kisha nga konsullata e Republikës së Kosovës në Shtutgart, të konsullit Faket Kajtazit, ku dhe u shërbeva me tekstet shkollore për të gjithë nxënësit, po ashtu më vonë me hapjen e konsullatës së Republikës së Kosovës në Mynih, kisha përkrahjen e Konsullit të përgjithshëm, Naser Idrizi, i cili përpos përkrahjes që ma dha, ishin në disa takime, me bashkëkombësit në Rosenheim. Kjo ishte një mbështetje e madhe, gjë që edhe forcë më jepte, që ta kem edhe përkrahjen e bashkëkombësve.
Që nga atëherë kur e shpalosa projektin tim, për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në Bavari, sidomos vlenë të përmenduet kontributi konsullit të Republikës së Kosovës, Hamdi Reçicës. Këtë përkrahje e kam edhe nga Ministria e Diasporës-mërgatës. Ministri, Valon Murati, vazhdimisht është në kontakt të vazhdueshëm, gjë qe drejtori Avdyl Lipoveci, i cili përpos që përkrahu projektin tonë, u zotua se do të na ndihmojë me të gjitha ato mundësi që i ka kjo ministri.
Përkrahje kemi nga institucionet përkatëse të të dy republikave shqiptare, ajo e Shqiperisë dhe e Kosovës. Kjo e dëshmon në takimin e fundit të cilin e mbajtëm më 12.11.2016 në Munih me Ministrin Diasporës të Republikës së Kosovës, Valon Muratin dhe drejtorin e kësaj ministrie, Avdyl lipovecin, si dhe me Konsullin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, Naser Idrizin dhe konsulli Hamdi Reçica, që i pranishëm ishte edhe Konsulli i përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Munih, Arten Henku. Edhe nga organet Gjermane, konkretisht të arsimit kemi një përkrahje, nga që vet fakti flet; deri sa janë të gatshëm të na i lirojnë klasët në hapësirën e shkollës për ta mbajtur Mësimin Plotësues në Gjuhën Shqipe dhe na i kanë ofruar të gjitha kushtet përpos pagesës së arsimtarëve, të cilën nuk i bënë për asnjë komunitet tjetër në këtë Land.
Nga këto takime doli Këshilli Nismëtar, ku përgjegjës më zgjodhën mua deri në Kuvendin, që pritet të mbahet në muajin shkurt/mars, në pajtim me Ministrin e Diasporës, Konsullin e përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë Arten Henkun dhe Konsullin e Kosovës Hamdi Reçicën, ku dhe përgatisim një deklaratë për shtyp e, më vonë një fletëregjistrim për regjistrimin e nxënësve për vitin 2016/17.

Isuf Bytyçi: Interesimi i qytetarëve nga nisma e deri më tani sa është?

Mustafë Krasniqi: saktësisht nuk mund të them, me që jemi në hapat e parë. Po ajo që dua ta them se pas deklaratës së dhënë për shtyp, sidomos pas publikimit të Formularit për Regjistrim të nxënësve për vitin 2017/18, interesimi i bashkëkombësve është i kënaqshëm dhe aq më tepër është shpresëdhënëse, që kemi edhe një interesim të madh të mësimdhënësve shqiptarë që janë të gatshëm të japin mësim. Kjo dhe më inkurajon, sidomos këmbëngulja e disa qytetarëve që sa më parë të hapen klasët dhe të fillojë Mësimi Plotësues në Gjuhën Shqipe.
Isuf Bytyçi: Cili është qëllimi dhe arsyeja e Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe, në Bavari?

Mustafë Krasniqi: qëllimi i Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe është në rend të parë që fëmijtë tanë të mos e harrojnë gjuhën, kulturën, traditën dhe identitetin e tyre kombëtar-shqiptar. Më duhet ta them, për fat të keq, gjuha shqipe me të madhe ka filluar të zbehet tekë fëmijtë tanë, gjë që nëse nuk veprojmë me kohë, në këtë drejtim, jam i bindur se brezi i tretë me shpejtësi do të asimilohet, nëse nuk e mësojnë dhe kultivojnë gjuhën e tyre, fare nuk do ta flasin gjuhën shqipe dhe do ta harrojnë atë, për të cilën ne prindërit e mbajmë përgjegjësinë.

Isuf Bytyçi: Cilat do të jenë rezultatet, nga mbajtja e Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe, në Bavari?

Mustafë Krasniqi: Pyetje emocionuese është, nga frika për asimilim, po e ringjallim ndjenjën për rezultatet e pritshme. Pajtohem dhe jam shumë optimist se rezultatet nuk do të na mungojnë, nëse ne dimë ta përçojmë te bashkëkombësi ynë porosinë dhe qëllimin e projektit dhe më lejoni t’iu jap vetëm një fakt; Me festimin e 28 Nëntorit, që mbajtëm në Rosenheim, bashkëkombësit u ndanë të emocionuar me recitimin dhe shqiptimin e fjalës së gjuhës shqipe. Andaj, unë ngul këmbë që duhet të kemi kujdes se që mësimdhënës po ju ofrojmë, nëse ne ju ofrojmë mësimdhënës të përkushtueshëm, mendoj se do të kemi rezultate të dukshme, mbase edhe të shkëlqyera e të arritshme në të ardhmen. E, atëherë nëse ju afrojmë mësimdhënës jo të kualifikuar, me drejtime jo përkatëse kam dro se kjo dhe do të rezultojë negativisht.
Unë do të jem parimor dhe do të kërkoj që mësues të jenë , së pari arsimtarët e gjuhës dhe të letërsisë Shqipe, pedagogë, mësues klasor dhe arsimtarë ( shqiptarë) të gjuhëve të huaja, në mungesë të mësuesve adekuatë. Por unë do të kërkoj që në vitin e ardhshëm ta mbajmë një kurs tri ditësh rreth informimit për mësimin klasor, që kemi të përzier për të gjitha klasët që nga klasa e parë deri tek ajo e 10-ta. Ndërsa, cilat do të jenë rezultatet? Unë them me bindje të plotë se rezultatet do të jenë këto: nxënësit shqiptarë do ta njohin identitetin e tyre, traditën, kulturën e vet, do të dinë ta flasin bukur gjuhën e tyre, do të dinë të shkruajnë dhe të lexojnë bukur në Gjuhën e tyre, që do të kenë mundësi të bëhen përkthyes të mirë, do të kanë mundësi kë kyçen në beznise të ndryshme ndërkombëtare në marrëdhënie tregtare shqiptare me vendet gjermanofolëse si: Gjermani, Austri, Zvicër e tj., do të kanë mundësi të kyçen në diplomaci shqiptaro-gjermane; në ambasada e konzullata gjermanofolëse në marrëdhënie me shtetet shqiptare dhe mbi të gjitha, brenda një kohe të shkurtër do të mësohet gjuha shqipe si gjuhë e huaja, e tretë, pra, në vend të gjuhës spaniolle apo italiane, që përparëitë janë këto; edhe më shpejt e mëson gjuhën Shqipe me të cilën janë duke u rritur edhe se shumë më leht e mësojnë për një notë të shkëqyeshme.

Isuf Bytyçi: Faleminderit , i nderuari, z. Mustafë Krasniqi që gjetët kohë për bashkëbisedim dhe, suksese në jetën dhe veprimtarinë tuaj.

Mustafë Krasniqi:Ju falënderoj edhe juve z. Bytyçi, që më zgjodhët mua për t’ju dhënë juve intervistë. Po ashtu më lejoni që në emrin tim t’ju uroj juve dhe gjithë kombit tim shqiptar, festat e fund vitit, me shpresë që e ardhmja të na gjejë në rrugën e suksesit dhe të realizimit të qëllimeve tona kombëtare, po aq më tepër lus zotin që mërgata jonë një ditë t’ia rikthejë buzëqeshjen atdheut!
Shëndet, dashuri dhe suksese gjithë shqiptarëve, kudo që janë!
shkruan:


 
Der Inhaber dieser Webseite hat das Extra "Topliste" nicht aktiviert!
 
Diese Webseite wurde kostenlos mit Homepage-Baukasten.de erstellt. Willst du auch eine eigene Webseite?
Gratis anmelden